Peshk me sallatë ruse në pjatancë`````
Zgjidhet peshku sa gjatësia e pjatancës, pastrohet dhe zihet nëtenxhere të posaçme ose, në mungesë, në enë me fund të gjerë sa gjatësia e peshkut ku janë hedhur rrënjë aromatike (qepë, karota, rrënjë selinoje e majdanozi).
Lihet të ftohet në lëngun e vet. Hiqet peshku me kujdes, vendoset mbi dërrasë ose tavolinë, i pritet koka dhe bishti, ndahet në dy fileta, e i hiqen me kujdes halat. Në pjatancë për së gjati vendoset sallata ruse e përgatitur me perime të ziera: patate, karota, bizele ose fasule, kastraveca turshi të prerë në kubikë dhe tul peshku të zier.
Të gjitha këto përzihen me majonezë dhe vihen në formë kodre në pjatancë duke vënë sipër dy filetat, kokën dhe bishtin duke krijuar një peshk fals. Mbulohet sipër me një shtresë të hollë majonezë dhe zbukurohet sipas gustos me gogozhare, ullinj, degë majdanozi, vezë të ziera, feta limoni etj.
Gjatë shërbimit pritet, ndahet me thikë, në mënyrë që secilit t’i takojë një pjesë peshku. Koka dhe bishti mbeten në pjatancë.
Për një peshk 1.5 kg duhen: sallatë ruse 1 kg, rrënjë aromatike për zierjen e peshkut, tul peshku të zier e të coptuar 4-5 lugë gjelle, limon 1 kokërr, ullinj disa kokrra, vezë të ziera 2 kokrra, gogozhare 2-3 copë, gjethe majdanozi për zbukurim.